Vazhdon rritja e çmimeve në Kosovë, inflacioni arrin në 4,5 për qind
Çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje 4.5 për qind në muajin gusht të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Qytetarët e Kosovës po ndiejnë çdo ditë në xhepat e tyre rritjen e çmimeve. Nga energjia elektrike te ushqimet bazë, çdo sektor ka shkuar lart, ndërsa pak gjëra kanë rënë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për Gusht 2025, sipas të cilit çmimet e konsumit kanë shënuar një rritje vjetore prej 4,5%, ndërsa krahasuar me muajin Korrik 2025, inflacioni mujor ka qenë 0,5%.
Rritja vjetore e çmimeve lidhet kryesisht me grupet që ndikojnë më shumë në xhepin e qytetarëve: energjia elektrike dhe pushimet e organizuara kanë shënuar rritje prej 17,1%, kafja, çaji dhe kakao 16,7%, pemët 16,6%, dhe mishi 12,4%. Në rritje të ndjeshme janë edhe shërbimet e transportit, perimet, vajrat dhe yndyrnat, shërbimet hoteliere, qumështi, djathi dhe vezët, si dhe shërbimet ambulantore, duke treguar se inflacioni prek pothuajse të gjithë sektorët e konsumit bazë dhe jo vetëm luksin.
Po ashtu, ndikim të konsiderueshëm kanë pasur edhe shërbimet për mirëmbajtjen e transportit personal (10,7%), shërbimet e tjera lidhur me transportin (10,4%), perimet (9,7%), vajrat dhe yndyrnat (8,6%), shërbimet hoteliere (8,2%) si dhe produktet e qumështit, djathit dhe vezët (8,2%).
Në anën tjetër, ulje e çmimeve është shënuar te biletat e fluturimeve (-7,8%), lëndët djegëse të ngurta si druri dhe pelet (-4,1%), si dhe karburantet dhe lubrifikantët për transportin personal (-3,2%). Këto zbritje patën një ndikim të përbashkët prej -0,4% në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit.
Në krahasim mujor pra gusht 2025 me korrik 2025, rritja prej 0,5% është shpjeguar kryesisht me shtrenjtimin e biletave të fluturimeve (15,4%), produkteve të qumështit, djathit dhe vezëve (2,4%), perimeve (1,2%) si dhe karburanteve për transportin personal (0,8%).
Ky raport nënvizon një realitet të thjeshtë për qytetarët e Kosovës, rritja e çmimeve është e dukshme dhe preku pothuajse çdo aspekt të shpenzimeve të përditshme, ndërsa pak kategori përjetojnë ulje çmimesh dhe asnjë masë nuk duket se frenon inflacionin. /Monitor(https://monitor.al/vazhdon-rritja-e-cmimeve-ne-kosove-inflacioni-arrin-ne-45/)